Shkodra vijon të renditet si një nga vatrat më të rrezikshme pas përhapjes së virusit COVID-19. Ministria e Shëndetësisë, një ditë më parë ka konfirmuar edhe 10 raste të reja në nivel qarku ku tetë raste I përkasin bashkisë Shkodër dhe dy raste të tjera janë regjistruar në bashkinë Malësi e Madhe.

Nga ana tjetër është shënuar edhe një tjetër viktimë. Bëhet fjalë për kirurgen Zyliha Kraja, e cila prej vitesh ka shërbyer në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ishte infektuar me koronavirus e për fat të keq nuk ka fituar betejën me këtë virus.

Deri më tani, numri I të infektuarve aktivë është 293 persona, ndër të cilët 13 janë të shtruar në spitalet COVID në Tiranë ku gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqitet e mirë ndërsa 280 të tjerë janë persona të izoluar në banesa

Në ndihmë të këtyre personave janë mjekët e familjes të cilët kondultojnë të infektuarit përmes telefonit për çdo problem shëndetësor që mund të kenë. Fatmirësisht, po rritet gradualisht edhe numri I të shëruarve nga koronavirusi.

Një ditë më parë edhe pesë persona të tjerë e kanë mbyllur me sukses betejën me COVID-19, duke e rritur numrin e të rikuperuave në 432 persona. Pavarësisht përhapjes masive të pandemisë, në Shkodër qytetarët duket se janë mësuar me frikën nga infektimi me këtë virus duke bërë që të mos respektojnë rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së mëtejshme të COVID-19