12 raste të reja pozitive me COVID-19 janë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë për qarkun Shkodër. Rastet e reja janë shënuar 11 në bashkinë Shkodër, dhe një rast tjetër pozitiv ne bashkinë Malësi e Madhe. Aktualisht në qarkun Shkodër janë të infektuar nga ky virus 249 persona.

Kjo ka bërë që bashkia Shkodër të mbetet ndër zonat më të prekura nga koronavirusi në të gjithë vendin. Ndërkohë është shënuar edhe një tjetër viktimë. Bëhet fjalë për një të moshuar 87-vjeçare e cila vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese. Në total, numri i viktimave ka arritur në 33 në të gjithë qarkun.

Ndërkohë aktualisht numri i të shëruarve nga infektimi nga COVID-19 në qarkun shkodër është 321 persona. Gjatë muajve të fundit, Shkodra ashtu si shumë qytete të tjera të vendit po përballet me përhpajen masive të virusit, ku janë shënuar një numër i lartë i të infektuarve.

Nisur nga situata e krijuar, institucionet kërkojnë që të ruhet distanca fizike në ambjente të mbyllura dhe mbajtja e maskës, pasi rezulton efektive për frenimin e përhapjes së COVID-19. Megjithatë një gjë e tillë nuk po ndodh qoftë në mjedise publike ku qytetarët dalin të shoqëruar apo edhe në mjedise të tjera ku qytetarët nuk respektojnë këto masa duke bërë që numri i të infektuarve të jetë më i madh.

Një shqetësim për Shkodrën mbetet edhe fakti se ka një numër më të madh të vdekjeve nga COVID-19 se në qytetet e tjera. Pavarësisht apelit të herë pas hershëm të institucioneve numri i të prekurve vijon që të jetë në rritje ndërsa COVID-19 tashmë ka nisur duke infektuar jo pak edhe mosha të reja mes të cilave ka edhe viktima.