Gjatë kësaj jave ka patur një ulje të ndjeshme të numrit të personave ditor të infektuar me koronavirus. Katër raste të reja pozitive me COVID-19, shtatë më pak se një ditë më parë, janë konfirmuar në bashkinë Shkodër nga Ministria e Shëndetësisë. Qarku i Shkodrës renditet i treti në të gjthë vendin për nga numri i të prekurve nga ky virus dhe po ashtu edhe për nga numri i personave që janë shëruar nga koronavirusi.

Aktualisht në qarkun Shkodër janë të infektuar aktiv me virus COVID-19, 253 persona. Deri më tani, janë shënuar 33 viktima, pjesa më e madhe e të cilave kanë qenë të moshuar të cilët si shkak kanë vuajtur edhe nga sëmundje të tjera kronike, duke bërë më pas që infektimi me COVID-19 të jetë fatal për ta.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e virusit.

Megjithatë një gjë e tillë nuk po ndodh qoftë në mjedise publike ku qytetarët dalin të shoqëruar apo edhe në mjedise të tjera ku qytetarët nuk respektojnë këto masa duke bërë që numri i të infektuarve të jetë më i madh.

Një shqetësim për Shkodrën mbetet edhe fakti se ka një numër më të madh të vdekjeve nga COVID-19 se në qytetet e tjera. Pavarësisht apelit të herë pas hershëm të institucioneve numri i të prekurve vijon që të jetë në rritje ndërsa COVID-19 tashmë ka nisur duke infektuar jo pak edhe mosha të reja mes të cilave ka edhe viktima.