Policia kufitare në Shkodër ka kapur dhe vënë në pranga një të kërkuar për llogari të drejtësisë italiane. Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes Policisë Kufitare, Interpol Tiranës dhe drejtorisë Shkodër u vu në pranga 44-vjeçari i dënuar me 11 vite burg për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqanit, si rezultat i shtimit të kontrolleve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe kapjen e personave në kërkim, gjatë përpunimit të dokumenteve të personave në hyrje të republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për intervistim të hollësishëm një shtetas nga Vlora.

Pas intervistimit të hollësishëm nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në policinë e Shkodrës rezultoi se shtetasi Elton Isufi alias Mateo Meto, 44 vjeç, banues në Vlorë, i cili po kthehej nga Brukseli për në Vlorë, ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit në Bari të Italisë,

në vitin 2014 e ka dënuar me 11 vjet burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Trafikimi i armëve” parashikuar nga Kodi Penal Italian. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.

Ky nuk është rasti i parë sepse edhe në pika të tjera doganore element kriminal kanë tentuar që të kalojnë duke shfrytëzuar mungesën e lëvizjes të qytetarëve në dogana si shkak i COVID-19. Policia në pikat kufitare ka goditur disa raste ndërsa një problem vijojnë të mbeten edhe tentativat për të trafikuar përmes kufirit lëndë narkotike apo edhe trafikimi i qënieve njerëzore kryesisht shtetasve nga vendet e treta të cilët vijnë në Shqipëri me qëllim për të shkuar në vendet e zhvilluara të Europës.