Gjatë muajve të pandemisë 150 të moshuar të vetmuar dhe në kushte të vështira kanë marrë ndihmë nga 250 të rinj vullnetar studentë të universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Kjo është një iniciativë e drejtorisë rajonale të shërbimit social në Shkodër e cila në bashkëpunim me organizatën “Alternativë Pro” dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare kanë mundësuar shërbimin social për të moshuarit në Shkodër.

Në këtë mënyrë u organizua edhe një ceremoni nga drejtoria rajonale e shërbimit social duke shpërndarë çertefikata mirënjohjeje për të rinjtë vullnetarë.

Durim Komi, drejtues i organizatës “Alternativë Pro” u shpreh se të moshuarit që kanë ndihmuar të rinjtë vullnetarë kanë qenë të vetmuar dhe në kushte të vështira ekonomike.

Nevoja për të dhënë shërbim social për të moshuarit në Shkodër është shumë më e madhe se këta 150 që janë ndihmuar në muajt e pandemisë.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe rektorja e re e universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Suzana Golemi e cila u bë pjesë e shpërndarjes së çertefikatave. Kjo mbështetje për këta 150 të moshuar në Shkodër do vijojë ndërsa pritet që numri i atyre që ndihmohen të jetë edhe më i madh në të ardhmen.