Është ndarë nga jeta në moshën 80 vjeçare kirurgia e parë femër në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë, mjekia e njohur Zyliha Kraja. Prej 10 ditësh e shtruar në reanimacionin e spitalit të Shkodrës si e prekur me COVID-19, një ditë më parë është në intubim duke mos arritur që të shpëtojë pavarësisht kujdesit të gjithë stafit mjekësor të spitalit të Shkodrës.

Zyliha Kraja është jo vetëm një mjeke por edhe një intelektuale me vlera në qytetin e Shkodrës. Në gjithë këto vite të punës së saj si mjeke dhe humanizmin që e karakterizonte shpëtoi shumë jetë njerëzish duke u kthyer në një heroinë në qytetin e saj. Zyliha Kraja është e lindur në një familje të thjeshtë shkodrane, por shumë të emancipuar, e cila me ato pak mundësi që kishte i dha prioritet shkollimit te saj.

Pasi kreu mësimet e para në Shkodër me rezultate shumë të larta, iu dha e drejta e studimit për t’i vazhduar ato në Tiranë në degën e mjeksisë. Menjeherë pasi mbaroi shkollën e mesme profesionale ku mori diplomën e pjekurisë, në moshën 18 – vjeçare punoi si ndihmës mjeke në Befotrofin e Shkodrës.

Ndërsa punonte i del e drejta e studimit në Pragë të Çekosllovakisë me bursë te plotë. Pas prishjes se mardhënieve ndërshtetërore të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, shteti shqiptar i tërhoqi të gjithë studentët e ndër ta edhe Dr. Zylihanë, e cila asokohe ishte në vitin e katërt studimor, çka bëri që vitin e pestë dhe diplomimin ta përfundojë në Shqipëri. Në vitin 1963 emërohet kirurge pranë kirurgjisë së spitalt të Shkodrës.

Dr. Zyliha Kraja gëzonte një respekt të veçantë, pasi fati deshi që të ishte e vetmja kirurge femër. Rrugëtimin e këtij profesioni të vështirë e filloi me një presion psikologjik. Me emra të njohur si doktorët Selaudin Mbroja dhe Ramiz Hafizi ka kryer stazhin duke nisur kështu artin e vështirë të mjekësisë.

Megjithëse në vitin 1997 si pasojë e moshës ajo mori statusin e pencionistes dhe duhej të linte punën, nuk e pranoi këtë nënshtrim social, pasi e ndjente veten tepër aktive për punë e shume të cunguar pa pacient. Edhe pas daljes në pension shërbeu si vullnetare duke numëruar kështu një rekord me 57 vite punë. Shumë netë i kaloi në pavion ndërsa bashkëshorti i saj dramaturgu i njohur Fadil Kraja i ka kushtuar dramës “Sinjalet e Natës”.

Për merita të veçanta Dr. Zyliha Kraja është nderuar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës me titullin “Qytetare Nderi”. Mban edhe disa dekorata, urdhëra dhe medalje pune të cilat i atribohen për punën plot humanizëm ndër vite dhe kontributin e saj duke lënë gjurmë në spitalin rajonal të Shkodrës.