Kjo është sall bosh e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Në kushte normale duhej të ishte e mbushur nga qytetarët e Shkodrës dhe njësive administrative.

Dëgjesa publike për disa ndryshime në paketën e taksave dhe tarifave vendore për 2019-ën dështoi sepse askush nuk shfaqi interes për të dëgjuar se çfarë ka ndryshuar dhe çfarë jo apo edhe përmbajtjen e këtyre ndryshimeve.

Këshilli Bashkiak ka njoftuar për këtë dëgjesë të planifikuar por as qytetarët, as zyrtarë apo qoftë edhe këshilltarë duke qenë se ishte e hapur për të gjithë nuk shfaqën as interesin më të vogël.

Sekretari i këshillit bashkiak njofton se me 6 dhjetor do jetë dëgjesa publike për projektbuxhetin e 2019-ës dhe kërkon që për këtë dokument të rëndësishëm qytetarët por jo vetëm të shfaqin interes.

Në paketën e taksave dhe tarifave vendore në total ka një rritje të tyre sin ë qytet edhe në njësitë administrative për shkak se këtë masë ndëshkuese e ka marrë qeveria dhe pushteti vendor është i detyruar ta zbatojë.

Nga ana tjetër taksa e ndërtesës në njësitë administrative është ulur me 30% por sërish është më e lartë se më përpara 20 lekë metri katrorë për ndërtesat e banimit, 14 lekë për ndërtesat e privatizuara dhe 6 lekë për ndërtesat e pashitura ndërsa ulje ka edhe për biznesin.

Në qytetin e Shkodrës dhe plazhin e Velipojës nuk ka ndryshime dhe taksa e ndërtesës është 29 lekë metri katror.

Edhe për tabelat e reklamave në qytet ka një ndryshim sepse për ata që janë deri në 2 metër taksa është zero lekë ndërsa më përpara ishte 450 mijë lekë të vjetër në vit ndërsa mbi dy metër vijon me taksa të ndryshme nga 40 dëri në 450 mijë lekë të vjetër në vit.