Policia vendore e Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Një shtetas sipas policisë ka kanosur me arme dhe ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe ndërkohë është arrestuar në flagrancë nga efektivët. Në pranga ka rënë 29 vjeçari nga fshati Rragam i njësisë Gur i Zi, Zef Çobaj. Arrestimi i tij është bërë nga specialistët për parandalimin dhe hetimin e krimeve në komisariatin e policisë Shkodër.

Sipas njoftimit për shtyp shërbimet e Policisë Shkodër, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Rragam një shtetas po kanoste me armë zjarri dhe po dhunonte fizikisht në banesë bashkëshorten, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Shtetasi Zef Çobaj, kur ka parë shërbimet e Policisë, ka lënë armën e zjarrit në banesë dhe është larguar në drejtim të pyllit, por është kapur pas disa orë ndjekjesh nga shërbimet e Policisë.

Efektivët pas ndjekies dhe arrestimit të 29 vjeçarit i cili tentoi të përfitojë nga terreni i thyer malor në fshatin Rragam kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov që e mbante pa leje. Shtetasi Zef Çobaj akuzohet për veprat penale “Kanosje”, “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Sipas burimeve pas një debati me bashkëshorten 29 vjeçari ka nisur që ta godasë atë dhe fqinjët kanë dëgjuar sherrin mes tyre dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë duke parë gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej bashkëshortja e agresorit të fjalë.

Rastet e dhunës në familje në zonat rurale por tashmë edhe brenda qyteteve janë duke u shtuar dhe bashkë me to ka një shtim edhe të ndërgjegjësimit për t’i denoncuar në polici dhunuesit.

Shumë prej viktimave të dhunës janë të pambrojtura por edhe në kushte të vështira ekonomike dhe shpesh herë detyrohen që të durojnë dhunën fizike që ushtrohet ndaj tyre derisa e kanë të pamundur dhe më pas reagojnë duke denoncuar. Aktivitetet ndërgjegjësuese kundër dhunës në familje nuk kanë mjaftuar për të sjellë përmirësime.