Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Qarkut Shkodër në njoftimin zyrtar të tij bën me dije se gjatë orëve të para të mëngjesit kanë filluar reshjet e shiut, ndërsa temperaturat në zonat malore vazhdojnë të jenë të ulëta të cilat krijojnë vështirësi në segmentet rurale.

Shtabi i Emergjencave është informuar se të gjitha akset rajonale dhe segmentet rrugore që lidhin qendrat e bashkive me njësitë administrative janë të gjitha të kalueshme.

Në vende të ndryshme rekomandohet ecja me zinxhir nga përdoruesit e mjeteve.

Sipas informacioneve të marra nga drejtorët dhe sektorët e emergjencave në bashkinë Shkodër aksi rrugor Shkodër-Bregu i Lumit është i bllokuar në Malin Shoshit,

ndërkohë ka nisur puna prej disa ditësh më dy kompani kontraktuese të cilat po punojnë në dy krahët e ketij segmenti, njëra kompani operon në krahun Pult-Shosh me një fadrome me zinxhir dhe tjetra kompani operon në krahun tjetër të Shoshit me dy fadroma, për tu takuar në Qafën e Shoshit,

pikë e cila e mbanë të bllokuar këtë segment rrugor për t’u lidhur me njësinë administrativë të Shalës dhe më pas fshatin turistik të Thethit.

Në anën tjetër aksi rrugor Bogë – Qafë Thore –Theth është po ashtu është i bllokuar, në Qafë Thorë ka rreth 130 cm borë. Bashkia Malësi e Madhe sipas Shtabit të Emergjencave nuk ka probleme të bllokimit të rrugëve nacionale dhe të atyre rurale që lidhen me njësitë administrative.

Në bashkinë Pukë kanë filluar reshjet e shiut, ndërkohë situata e rrugëve është e normalizuar në të gjitha segmentet rurale që lidhin njësitë administrative me bashkinë me përjashtim të dy fshatrave afër qendrës dhe 3 fshatrave në njësitë administrativë Rrapë dhe Qerret të cilët janë të izoluar por punohet me mjetet e Bashkisë.

Edhe në bashkinë Fushë Arrës disa fshatra kanë probleme si shkak i pranisë së borës ndërsa kanë nisur reshjet e shiut edhe atje ndërsa në bashkinë Vau Dejës nuk raportohen probleme të akseve rrugore.