Reshjet e shiut dhe era e fortë gjatë natës së kaluar ka shkaktuar jo pak probleme edhe në qytetin e Shkodrës. Përveç dëmeve të ndryshme zona kryesore e qytetit në orët e para të mëngjesit ka qëndruar për mbi një orë pa energji elektrike. Në orën 2:30 pas mesnate raportohet se është shkëputur energjia elektrike ndërsa këto janë edhe pamjet që ofrohen nga errësira totale që përfshiu qytetin për mbi një orë.

Energjia elektrike është shkëputur tek zona në afërsi të teatrit “Migjeni” që është në qendër të qytetit për të vijuar më pas në lagjet Parrucë e Xhabiej por edhe në anën tjetër tek bulevardi “Bujar Bishanaku”, zona e kinema “Millenium” apo edhe përgjatë lagjes “Rus”. Rrjeti i amortizuar në disa vende ka pësuar dëmtime duke lënë një pjesë të konsiderueshme të qytetit pa energji elektrike.

Normalisht që errësira në qytet ka sjellë probleme për ata pak qytetar që mund të kenë qenë zgjuar në atë orë apo edhe ata subjekte që punojnë gjatë natës për të qenë gati për të nesërmën. Megjithatë pas ndërprerjes së energjisë elektrike raportohet se menjëherë Operatori i Shpërndarjes të Energjisë Elektrike ka vijuar punën për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë.

Pas më shumë se një ore në errësirë energjia elektrike është rikthyer falë ndërhyrjes së OSHEE. Në raste të tilla kur moti përkeqësohet me erëra të forta apo edhe reshje shiu problemet me energjinë elektrike janë prezente. Ndërkohë që në orare të ndryshme ka patur ndërprerje të energjisë elektrike edhe në disa fshatra të ndryshëm ku vijon puna për riparimin e çdo defekti nga ana e OSHEE.

Artikulli paraprakE ZURI FURTUNA NË DET, GJENDET E PAJETË PAS DISA ORËSH KËRKIME GRUAJA
Artikulli tjetërSHKODËR, BANORËT: KËRKOJMË RRUGËN