Një vrasje e stilit mafioz ka ndodhur në qytetin e Shkodrës. Një 27 vjeçar u gjet i vrarë mëngjesin e sotëm me një plumb në kokë në rrugën Shkodër-Tiranë, në aksin që të çon në fshatin Shkjezë. Shtetasi Gj.Boriçi i cili më përpara ka patur mbiemrin Ndoj është personi që u gjet i vdekur në anë të rrugës nacionale Shkodër-Tiranë. Tre metra nga viktima ndodhej edhe mjeti tip BMË që është i shtetasit Gj.Boriçi me të cilin ka qenë duke lëvizur në momentin kur është qëlluar nga autorët. Mendohet se ngjarja mund të ketë ndodhur rreth orës 5:30 të mëngjësit ndërsa në orën 5:55 është njoftuar salla operative e policisë. Menjëherë grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje duke nisur veprimet e para për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes. Mësohet nga hetimet paraprake se autorët kanë shtënë tre herë me armën e zjarrit automatik kallashnikov duke e qëlluar në kokë dhe duke e lënë të vdekur në vend 27 vjeçarin Gj.Boriçi. Ndërkohë pas pak minutash policia është njoftuar së një mjet është djegur në kufirin mes Vau Dejës dhe Lezhës në pjesën fundore të fshatit Mali i Jushit në vendin e quajtur tek Bendi. Efektivët pas veprimeve në vendin ku u gjet viktima kanë mbërritur menjëherë tek makina e cila rezultoi e djegur plotësisht. Megjithatë forcat e policisë kanë sekuestruar edhe mjetin e djegur për të bërë ekspertizën e plotë. Sipas burimeve dyshohet se autorët i kanë bërë pritë viktimës duke e nxjerrë nga mjeti me të cilin po udhëtonte dhe duke e qëlluar në kokë dhe më pas janë larguar me shpejtësi duke shkrumbuar mjetin e tyre për të zhdukur të gjitha gjurmët.  Autorët e dyshuar pasi kanë djegur makinën dyshohet se janë pritur nga një mjet tjetër me të cilin janë larguar në drejtim të Lezhës duke u munduar që të mos lënë asnjë gjurmë. Një prej pistave të kësaj vrasje ku po heton policia është hakmarrja ndërsa mbetet për t’u konfirmuar. 27 vjeçari Gj.Boriçi adresën e banimit e ka në lagjen “1 Maji” në zonën e Perashit në Shkodër por në fakt sipas burimeve ka disa vite që jeton në Tiranë. Policia po bën kontrolle kudo në zonën ku ndodhi vrasje për të arritur në identifikimin e autorëve të dyshuar edhe pse për mënyrën se si është kryer kjo vrasje mbetet e vështirë për t’u zbardhur.