Polumbarët e forcave RENEA të Tiranës kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të shtetasit maroken Rachid Muhamed i cili humbi jetën një ditë më parë në ujërat e lumit Buna. 35 vjeçari është future për t’u larë në lumë në fshatin Darragjat të njësisë Dajç por papritur ka humbur jetën duke mos arritur që të dalë nga rrjedha e rrëmbyeshme e lumit Buna.

Shtetasi maroken ndodhej bashkë me një shok të tij i cili ka njoftuar policinë për ngjarjen e ndodhur duke dyshuar se shoku i tij është mbytur në lumë. Pas të dhënave të identitetit të bëra të ditur nga shoku i tij në vendngjarje kanë mbërritur polumbarët e forcave RENEA duke nisur kërkimet. Një ditë më parë polumbarët nuk kanë mundur që ta gjejnë trupin e pajetë të marokenit ndërsa kjo është bërë e mundur në ditën e dytë të kërkimeve. Polumbarët kanë ardhur edhe sot dhe pas disa orësh kërkime kanë arritur që ta gjejnë trupin e pajetë jo shumë larg nga vendi ku ishte futur për t’u larë.

Sipas burimeve marokeni disponon dokumente franceze ndërsa janë ende të paqarta arsyet e ardhjes së tij në Shqipëri. Ndërkohë mësohet se në lumin Buna është futur vetë për t’u larë por nuk ia ka dalë të rikthehet në breg duke humbur jetën nga rrjedha dhe gjiret e rrëmbyeshme.

Ndërkohë bëhet e ditur se një ditë më parë polumbarët e forcave RENEA kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të peshkatarit nga Shkodra Sylejman Syla, 67 vjeç i cili u mbyt në ujërat e liqenit të Shkodrës në vendin e quajtur Bregu i Ranës. 67 vjeçari kishte dalë me varkën e tij për të zënë peshk në liqen por nuk ka mundur ta kontrollojë varkën nga dallgët e forta dhe është mbytur në ujë. Pas tri ditësh kërkime polumbarët e RENEA-s arritën të gjejnë trupin e 67 vjeçarit.

Artikulli paraprakURDHRI I DYTË RRËZON TË PARIN: NESËR DILNI ME MAKINA
Artikulli tjetërSHKODËR, ARRESTOHET 29 VJEÇARI PËR LLOGARI TË ITALISË