Një grabitje e e ngjashme me skenarët e filmave ka ndodhur në Shkodër.

Maska, armë, dhunë, përleshje me policinë dhe largim nga vendi i ngjarjes i një pjesë të autorëve është gjithçka çfarë ka ndodhur në një banesë trekatëshe ngjitur me shkollën 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër.

Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë pa u vënë re në shtëpinë e shtetasit Agron Veseli, 62 vjeç. Ata i kanë kërkuar para ndërsa njëkohësisht e kanë goditur dhe i kanë vënë një litar në fyt duke e kërcënuar se do ta vrasin.

Pasi e kanë gjakosur Agron Veseli ka bërtitur sa ka mundur duke kërkuar ndihmë nga komshinjtë të cilët kanë njoftuar policinë. Brenda 3 minutave policia ka mbërritur aty ndërsa tre autorët menjëherë kanë tentuar të largohen.

Një prej tyre nuk ia ka dalë sepse është arrestuar në flagrancë nga policia. I dyshuari Pëllumb Kolbuçaj fillimisht është ndaluar nga shefi i rendit Saimir Rrustemi. Të ndodhur të dy mbi një gardh, 45 vjeçari ka arritur që të rrëshqasë.

Sapo ka zbritur në tokë në oborrin e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” aty i ka dalë para efektivi Shkëlzen Gjonaj. Këtë të fundit e ka goditur në shpatull duke tentuar që të largohet.

Gjonaj e ka bllokuar ndërsa menjëherë ka ndërhyrë shefi i rendit Rrustemi edhe efektivë të tjerë duke arritur ta arrestojnë Kolbuçajn edhe pse ai ka rezistuar.

Dy autorët e tjerë kanë arritur të largohen duke kapërcyer muret e disa banesave aty pranë derisa i kanë humbur syve të policisë. Policia është vënë në ndjekie të tyre ndërsa është arrestuar shtetasi Abdullah Hardhiçaj,

53 vjeç dhe në kërkim është 20 vjeçari F.SH. Në momentin e arrestimit policia ka gjetur maskat, dorezat dhe një levë hekuri.

Fillimisht u mendua se dy autorët e tjerë mund të ishin fshehur brenda shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” por pas kontrollit rezultoi se nuk ndodheshin aty. I dhunuari Agron Veseli u mor me një ambulancë të spitalit për ta mjekuar pas plagëve në kokë, fytyrë dhe trup.

Më përpara ai dha edhe dëshminë e tij duke treguar se grabitësit i kanë thënë ose na jep paratë ose të vrasim. Agron Veseli ishte i vetëm në shtëpi në momentin e ngjarjes. 62 vjeçari nuk është martuar asnjëherë dhe nuk ka fëmijë.

Ai më përpara merrej me tregti ndërsa kohët e fundit ka lëshuar me qera 2-3 dyqane poshtë ndërtesës 3-katëshe të tij. Ngjarja e rëndë ka tronditur komshinjtë dhe persona të tjerë të njohur të Agron Veselit.