Shkodër

Finalizohet me sukses operacioni i koduar “GRE-HOT”

Arrestohen 5 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër për veprat penale “Trafikimi i qenieve njerëzore” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale Tiranë, pas një hetimi disa mujor u bë finalizimi me sukses i operacionit të koduar “GRE-HOT” ku në përfundim të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

Ndue Ulaj, 33 vjeç, banues në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe

Sajmir Karaj, 34 vjeç, banues në Tiranë

Florind Tole, 26 vjeç, banues në Tiranë

Griseld Dekovi, 24 vjeç, banues në lagjen Dobraç, Shkodër

Gjokë Murçaj, 33 vjeç, banues në lagjen Partizani, Shkodër

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit P. P.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë hetimeve të zhvilluara nga ana e strukturave të Policisë, këto shtetas siguronin pritjen, transportimin dhe ambientet e akomodimit si hotele dhe shtëpi banimi për shtetasit e huaj të vendeve të treta,

kryesisht sirianë, dhe bënin të mundur trafikimin e tyre nga territori i Republikës së Shqipërisë drejt Malit të Zi me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

Ky grup i strukturuar kriminal në trafikimin e qenieve njerëzore ushtronte aktivitetin nga shteti i Greqisë në qytetet Korçë- Elbasan- Tiranë- Lezhë- Shkodër- Malësi e Madhe dhe më pas kalimi në Malin e Zi.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:

* 3 automjete, të cilët përdoreshin për transportimin e shtetasve të huaj.
* një sasi Euro të gjetura personave të arrestuar
*dhjetëra telefona celularë dhe karta SIM

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga nenet 110/a dhe 298/3 të Kodit Penal.