Aksi rrugor Shkodër – Han i Hotit mbetet një segment i rrezikshëm për përdoruesit e rrugës.

7 persona janë plagosur në harkun kohor të 3 ditëve në fillim të muajit gusht, 4 prej të cilëve me pasoja serioze, ndërsa pritet që policia të përcaktojë shkaqet kryesore të aksidenteve të ndodhura së fundmi në këtë segment.

Rreziku që u kanoset qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve është i lartë në këtë aks nacional. Prania e kryqëzimeve të shumta në zona rurale, lëvizjet nga njëra anë në anën tjetër të rrugës si shkak i mungesës së mbikalimeve, si dhe furgonët e shumtë që lidhin Shkodrën me Malësinë e Madhe janë disa nga problematikat e përditshme që jo rrallë herë kanë qenë burim aksidentesh. Ndërkohë, mungesa e ndriçimit në të gjithë aksin është rrezik evident për të gjithë ata që lëvizin gjatë natës, kryesisht në këmbë, biçikletë apo motoçikleta.

Të shtyrë edhe nga numri i aksidenteve në rang qarku ditët e fundit, policia bën me dije se do të ketë rritje të numrit të forcave blu që operojnë në këtë aks rrugor. Aksi rrugor Shkodër Han i Hotit me gjatësi mbi 40 km është një nga investimet më të rëndësishme në veriun e Shqipërisë. Megjithatë, dëmtimi i shpeshtë i sinjalistikës rrugore, lëvizja me shpejtësi tej normave, mungesa e ndriçimit apo mungesa e mbikalimeve kanë qenë burime aksidentesh edhe me pasoja në njerëz.

Artikulli paraprakAMBASADORI HUNGAREZ: VETTINGU RRUGA DREJT BE-së
Artikulli tjetërMUNGESA E ENERGJISË NË UNAZEN LINDORE