Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Shkodër-Koplik. Ka qenë ora 16:10 raporton policia vendore e Shkodrës kur dy mjete janë përplasur në fshatin e quajtur Vrakë duke lënë kështu 4 persona të plagosur. Të dëmtuarit janë Rovena Mustafa, 22 vjeçe, Egzon Çokaj, 25 vjeç, Gjon Ivanaj, 23 vjeç dhe Ermal Malaj 23 vjeç banues, të gjithë banues në Malësinë e Madhe. Dy mjetet janë përplasur kokë më kokë me njëri tjetrin duke bërë që drejtuesit e tyre dhe dy pasagjerët e tjerë në secilën prej makinave të plagosen.

Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e spitalit rajonal të Shkodrës duke bërë të mundur transportimin e katër të plagosurve drejt urgjencës së spitalit. Fillimisht u mendua se të katër të aksidentuarit ndodheshin në gjendje të rëndë nga përplasja e fortë e dy mjeteve por pas ekzaminimeve të para rezulton se vetëm 22 vjeçarja Egzona Mustafa është rëndë e cila ka marrë dëmtime në disa pjesë të trupit.

Menjëherë e aksidentuara që ndodhej në gjendje kritike është transportuar me një ambulancë të spitalit rajonal të Shkodrës drejt spitalit të traumës në Tiranë për mjekim të specializuar. Ndërkohë sipas burimeve spitalore 3 të aksidentuarit e tjerë tashmë janë jashtë rrezikut për jetën por sërish nën kujdesin e mjekëve. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe forcat e policisë të cilët kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti të rëndë të ndodhur në aksin Shkodër-Koplik.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se shkak i aksidentit mund të jetë shpejtësia përtej normave të lejuara, mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor por edhe errësira në aksin Shkodër-Koplik duke u kthyer kështu në një burim të rrezikshëm aksidentesh. Dëshmitarë që kanë parë aksidentin tregojnë se ka qenë një përplasje e frikshme e dy mjeteve kokë më kokë ndërsa menjëherë kanë njoftuar ambulancën që të transportojë të plagosurit dhe policinë.

Si shkak i këtij aksidenti rruga Shkodër-Koplik u rëndua nga trafiku ndërsa për disa minuta ajo rrugë u devijua sepse policia bllokoi me shirita vendin e aksidentit. Rruga Shkodër-Koplik vazhdon të mbetet një nga njollat e zeza të aksidenteve duke patur shpesh herë viktima apo të plagosur rëndë si në këtë rast.

Artikulli paraprakPOST-TËRMETI, ARREDIMI I BANESAVE VË NË RREZIK NJERËZIT
Artikulli tjetërBASKET, VLLAZNIA HUMB 74-91 NDAJ AKADEMIK NË BALKAN LIGË