Një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Shkodër-Koplik, duke qenë i dyti brenda dy ditësh. Këtë radhë pasojat janë edhe më të rënda sepse ky aksident është me pasojë në jetë njerëzish. Kështu shtetasja Maria Leka 63 vjeçe banuese në lagjen “Guerrile” në Shkodër ka humbur jetën pas përlasjes së një kamioni me një mjet tip benz.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Shtoj i Vjetër raporton policia vendore e Shkodrës rreth orës 17:50 të 5 nëntorit. Kështu mjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin Sylë Palnikaj 63 vjeç dhe pasagjere Katrinë Palnikaj është aksidentuar me një kamion që drejtohej nga 21 vjeçari Petrit Leka, ndërsa pasagjera ishte viktima Marie Leka. Tre të aksidentuarit e tjerë, dy drejtuesit e mjeteve Sylë Palnikaj dhe Petrit Leka dhe pasagjerja Katrinë Palnikaj

sipas burimeve kanë marrë dëmtime por janë jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur një ambulancë e spitalit rajonal të Shkodrës duke bërë transportimin e të aksidentuarave. Shtetasja Maria Leka u dërgua menjëherë në sallën e operacionit në gjendje të rëndë shëndetësore por në pak minuta mësohet se ka ndërruar jetë duke mos i bërë ballë plagëve të shumta që ka marrë nga përplasja e fortë.

Nga ana tjetër nën kujdesin e mjekëve ndodhen edhe tre të aksidentuarit e tjerë. Në vendin ku ndodhi aksidenti ka mbërritur edhe policia vendore e Shkodrës duke nisur kështu hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti të ndodhur. Sipas dyshimeve të para mendohet se shkak i aksidentit të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara, mos respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe errësira në aksin Shkodër-Koplik.

Ky është aksidenti i dytë brenda 24 orëve në këtë segment sepse një ditë më përpara u përplasën kokë më kokë dy mjete të tjera duke lënë katër të plagosur mes të cilëve një vajzë në gjendje kritike për jetën e cila u transportua drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

Aksi Shkodër-Koplik vazhdon të jetë një problem sa i përket aksidenteve dhe jetëve të humbura apo të plagosurve rëndë. Masat e rrepta të policisë nuk kanë mjaftuar për të ulur numrin e aksidenteve.

Artikulli paraprakARTA MARKU I DORËZON DETYRËN KRYEPROKURORIT TË RI
Artikulli tjetërME AFTËSI TË KUFIZUARA DHURON NDIHMA