Trajneri i ri i Vllaznisë i cili pritet të zyrtarizohet së shpejti ka mbërritur në qytetin e Shkodrës. Fillimisht tekniku gjerman ka zhvilluar një takim në bashkinë Shkodër në zyrën e kryebashkiakes Voltana Ademi ku kanë biseduar gjatë rreth situatës në klub, kontratës që mund të jetë dhe objektivave për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë zyrtarisht gjermani Brdariç nuk ka firmosur ende një kontratë me kuqeblutë gjë të cilën pritet ta bëjë këto ditë. Ndërkohë pas vizitës në bashki trajneri i ardhshëm Brdariç sëbashku me drejtorin e ri sportive Matko Djarmati kanë parë nga afër stadiumin “Loro Boriçi” por edhe fushën e stërvitjes dhe kanë marrë çdo informacion që iu duhet rreth klubit.

Ndërkohë pas konfirmimit të drejtorit të ri sportiv dhe trajnerit të ri që pritet të firmosë në kampin kuqeblu kanë nisur disa lëvizje për të marrë futbollistë në merkato. Kështu burimet bëjnë me dije se Vllaznia synon të marrë lojtarë si Dejvi Bregu i cili është një futbollist i lirë pasi mbylli sezonin me Skenderbeun.

Mesfushori do të ishte një goditje e duhur për Vllazninë por në fakt shanset për të sjellë një futbollist si Dejvi Bregu janë të pakta. Vlonjati kërkon një kontratë të majme që minimalisht është 4 mijë euro në muaj për të mos thënë edhe më shumë gjë e cila i kufizon drejtuesit kuqeblu.

Megjithatë shkodranët po zhvillojnë një bisedë me mesfushorin Bregu për të parë ndonjë mundësi të afrimit të tij tek Vllaznia sepse planet e tij duke se janë në Kroaci, jashtë Shqipërisë. Një tjetër lojtar që përflitet është edhe Gledi Mici. Mbrojtësi sëfundmi ka luajtur me Shkëndinë e Tetovës në Maqedoninë e Veriut dhe është një preferencë e Vllaznisë.

Edhe Mici ka oferta të tjera e po ashtu mbetet një futbollist i shtrenjtë për një klub si Vllaznia. Mici kërkohet edhe nga Partizani ndërsa një lëvizje tjetër e tij mund të jetë drejt Turqisë duke bërë që të mos vijë në Shkodër. Ndërkohë një sërë lojtarësh kryesisht të huaj janë larguar nga Vllaznia dhe kuqebluve do t’i duhet që t’i zëvendësojnë me të tjerë.