Kryetari i partisë Republikane Fatmir Mediu zhvilloi një takim me strukturat kësaj force politike opozitare në Shkodër. Për Mediun nuk është e rëndësishme nëse do jetë me një listë veçmas në zgjedhjet parlamentare apo do ketë vend në listën e PD.

E rëndësishme për të është që kreu i opozitës së bashkuar Lulzim Basha dhe opozita në përgjithësi të kenë një platformë të qartë politike dhe elektorale që për momentin mesa duket mungon.

Për Fatmir Mediun nuk ka rëndësi sa deputet marrin republikanët, mjafton që qeveria e Ramës të largohet pas zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të ardhshëm.

Ajo që kërkon kreu i republikanëve është një organizim politik i të djathtës shqiptare për të siguruar fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Sa i përket Kodit Zgjedhor Mediu thotë se është një tentativë e kryeministrit që të mos ketë zgjedhje të lira dhe se tashmë është krijuar një vonesë e madhe.

Kreu i republikanëve Fatmir Mediu ka nisur fushatën elektorale në gjithë vendin për të qenë gati për zgjedhjet Parlamentare të 2021-shit.