Qendra e re e ankandit të peshkut në liqenin e Shkodrës ka përfunduar plotësisht dhe tashmë ka nisur punën. Kjo qendër u inaugurua nga ministri i bujqësisë Bledi Çuçi i cili ishte i pranishëm në Shirokë për ta parë nga afër qendrën e re të ankandit të peshkut. Ministri Çuçi tha se me këtë investim tashmë në Shkodër disiplinohet shitja e peshkut dhe frenohet gjuetia e paligjshme.

Sipas ministrit Çuçi ngritja e qendrës së ankandit të peshkut në Shirokë do të shërbejë gjithashtu edhe si një atraksion turistik për ata që vizitojnë këtë zonë. Gjithashtu u jep mundësi peshkatarëve që të vendosin vetë çmimin e peshkut duke shmangur abuzimet nga ana e tregtarëve.

Në fjalën e tij ministri i bujqësisë përmendi edhe targimin e varkave të peshkatarëve që ka patur një ndikimin sipas tij në minimizimin e gjuetisë së paligjshme të peshkut në liqenin e Shkodrës.

Prej ditës së hënë do të vihet në funksionim qendra e ankandit të peshkut në liqenin e Shkodrës. Investimi me vlerë rreth 4.5 milionë lekë të reja është kryer me fondet e vetë Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Shkodër.

Ngritja e kësaj qendre pritet të formalizojë më tej sektorin e peshkimit në liqenin e Shkodrës, ku ushtrojnë aktivitet rreth 450 peshkatarë, si dhe do të ofrojë të dhëna më të sakta për prodhimin. Me ndihmën e Ambasadës Hollandeze në këtë qendër është hapur edhe një dyqan për gratë që punojnë aty në kuadër të një ndërmarrjeje sociale.

Artikulli paraprakSHKODËR, MESAZHI I MYFTIUT: BAJRAMI FESTË SHPRESE
Artikulli tjetërSHKODËR, BESIMTARËT RIKTHEHEN NË KISHË POR ME MASA