Që në orët e para të mëngjesit makineritë janë instaluar në rrugë.

Njëri sens rruge i është nënshtruar procesit të ndërhyrjes duke devijuar në krahun tjetër lëvizjen e automjeteve.

Ndërhyrja ka nisur pas Urës së Re të Bunës dhe konkretisht po bëhet prishja e shtresave ekzistuese asfaltike për të vijuar zëvëndësimin e nënshtresave me cakull dhe stabilizant. Rruga ka një gjatësi prej 13 km.

Në të gjithë gjatësinë nga Shkodra e deri në Doganën e Muriqanit do të vendoset sinjalistikë horizantale dhe vertikale .

Inxhinierët e firmës i thanë Star Plus se përvec kësaj ndërhyrje në përfundim do të realizohet edhe vendosja e tabelave fosforishtente në të dy anët e rrugës.

Gjithashtu punonjësit e firmës do të kryejnë pastrimin e të të gjithë gjatësisë së këtij segmenti rrugor duke ndërhyrë në dy anët e rrugës për largimin e shkurreve dhe bimësisë. Gjatë punimeve punonjësit kanë konstatuar dëmtime në sinjalistikën horizontale dhe atë vertikale.

Punimet për rehabilitimin e aksit Shkodër-Muriqan mendohet se do të përfundojnë deri në fundin e këtij viti. Më pas mirëmbajtja do të kryhet pothuajse cdo ditë.

Rruga Shkodër-Muriqan ka një fluks të lartë të lëvizjes së mjeteve motorike për shkak se është një nyje kyçe që lidh një pjesë të Europës me pjesën tjetër.

Segmenti i Muriqanit është përballja e parë dhe porta hyrëse për të gjithë shtetasit që vijnë kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian duke kaluar në pikën doganore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.