Herion Jashari nuk do të jetë më drejtor rajonal i tatimeve në Shkodër. Që nga 31 korriku është vendosur që Jashari të mos jetë më në këtë pozicion duke kaluar si drejtor i drejtorisë së kontrollit në tatimeve në Shkodër. Pas largimit të Herion Jasharit nga ky pozicionit dhe kalimit të tij në një post tjetër tashmë drejtori i ri rajonal është emëruar Myzafer Bushi.

Ky është një emër i njohur në radhët e socialistëve në Shkodër ndërsa deri më tani ka mbajtur postin e drejtorit të degës së thesarit në Shkodër. Tashmë do të jetë drejtori rajonal i tatimeve. Nga tjetër drejtori i mëparshëm Herion Jashari ka qëndruar një vit në këtë detyrë si i komanduar. Drejtori i ri Myzafer Bushi ka një eksperiencë të gjatë në administratën shtetërore.

Ky ndryshim vjen pothuajse në fund të mandatit të qeverisjes së Partisë Socialiste dhe në fakt kështu ka ndodhur zakonisht. Drejtoritë në Shkodër, disa prej tyre nuk kanë gjetur qetësi duke ndërruar shpesh drejtorët. Drejtoria rajonale e tatimeve ka patur një peshë kryesore gjatë muajve të pandemisë por edhe më pas sa i përket marrëdhënies me bizneset dhe punonjësit duke menaxhuar pagën e luftës të dhënë nga qeveria.

Kjo situatë me ngarkesë do të vijojë edhe në muajt në vazhdim për drejtorinë rajonale të tatimeve. Ndërkohë nga sa mësohet pritet që në vazhdimësi në drejtoritë rajonale të Shkodrës të ketë edhe disa ndryshime të tjera drejtorësh të cilat lidhen patjetër me fundin e mandatit qeverisës të PS.

Është ende e paqartë se cilët do të jenë drejtorët që do të zëvendësohen por pritet që këto lëvizje të jenë në disa prej drejtorive më të rëndësishme. Ajo që vazhdon të jetë një problem në Shkodër është ardhja e drejtorëve nga qytete të tjera në disa prej drejtorive rajonale që kanë një peshë të rëndësishme.

Pavarësisht kërkesave të PS Shkodër që kjo të mos ndodh më nuk është marrë parasysh. Rasti i fundit i emërimit të Myzfar Bushit si drejtor rajonal i tatimeve në Shkodër bën një përjashtim.