Këndoi deri në frymën e fundit. Ikona e muzikës popullore shkodran, “Artisti i merituar” dhe “Krenaria e Qytetit” Shyqyri Alushi na dha lamtumirën mbrëmjen e 19 marsit duke u ndarë nga jeta në moshën 84 vjeç pas një sëmundje që e mundonte prej kohësh.

Shyqyri Alushi, i fundit i ahengut shkodran të gjithë shpirtin e tij ia dhuroi publikut shqiptar.

Bashkë me Bik Ndojën por edhe shumë emra të tjerë Shyqyri Alushi do mbetet këngëtari i pavdekshëm.

Shyqyri Alushi e nisi këngën fare i ri duke dëgjuar mjeshtrat e ahengut shkodran e më pas duke përvetësuar vlerat më të mira artistike e qytetare, duke u kthyer shumë shpejt në zërin më të dashur dhe duke arritur të këndojë edhe me orkestrën simfonike.

Përveçse një zë i mrekullueshëm i muzikës popullore Shyqyri Alushi ruajti me fanatizëm tekstet deri në 250 vjeçare të këngëve shkodrane ndërsa nuk lejoi askënd të ndryshojë këto tekste, perla të kulturës.

Me dhjetra këngë të Shyqyri Alushit do të mbeten gjatë në memorien e gjithsecilit.

Shyqyri Alushi nisi të këndojë që në moshën 10 vjeçare këngët e ahengut ndërsa në vitin 1974 është pjesë e teatrit “Migjeni” si këngëtar profesionist deri në 1986. Merr pjesë në shumë festivale dhe koncerte dhe turne ndërkombëtar.

Në vitin 1984 merr titullin “Artist i Merituar”, në 1996 merr “Çmimi i Karrierës” dhe në 65 vjetorin e lindjes në vitin 1999 bashkia Shkodër i jep titullin “Krenaria e Qytetit”. Lindi në 10 maj 1934 ndërsa ndahet nga jeta në moshën 84 vjeçare duke lënë pas një report tejet të pasur në muzikën, artin dhe kulturën shqiptare.

Artikulli paraprakKRYEMADHI NË SHKODËR: NË RRUGËN TONË NA NDRIÇON ZOTI
Artikulli tjetërVLLAZNIA PA TRAJNER, LARGOHET HASAN LIKA