Në vitin 2015 në Shkodër nisën vitin shkollor në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të paktën 32 mijë nxënës. Një ditë më parë, pra pas 3 vitesh në shkollat e Shkodrës janë 8 mijë nxënës më pak sepse nisën shkollën 26 mijë nxënës.

Të dhënat janë zyrtare dhe të bëra të ditura nga vetë drejtori rajonal i arsimit Kadri Ymeri i cili në 2015-ën raportonte 32 mijë nxënës dhe në 2018-ën janë 26 mijë të tillë.

Rënia e numrit me 8 mijë nxënës në 3 vitet e fundit vetëm në Shkodër është një shifër që realisht të frikëson. Shkak kryesor i këtij numri që vetëm vjen e ulet është emigracioni.

Kushtet e vështira ekonomike në Shkodër si një prej qyteteve me papunësinë më të madhe, pagat e vogla dhe pamundësitë për një të ardhme të sigurtë në profesione të ndryshme kanë detyruar me mijëra familje që të marrin rrugën e emigrimit duke bërë që shkollat të kenë gjithnjë e më pak nxënës.

Që nga 2015 disa shkolla janë mbyllur ndërsa shumë të tjera kryesisht në fshatra janë drejt mbylljes.

Me qindra mësues gjatë këtyre viteve kanë mbetur të papunë për shkak të numrit në rënie të nxënësve ndërsa shumë të tjerë rrezikojnë edhe në shkollat e qytetit tashmë.

Natyrisht që në këtë situatë alarmante të rënies së numrit të nxënësve nuk është vetëm Shkodra por mbetet një prej qyteteve me një situatë shqetësuese.