Një mjet është djegur gjatë natës në Shkodër. Ka qenë ora 4:15 e mëngjesit kur në lagjen “Vojo Kushi” në Shkodër policia është njoftuar se ka rënë një zjarr në mjetin tip Benz me targë AA 327 VC në pronësi të shtetases Arta Shiroka.

Sipas policisë por edhe nga vendngjarja mjeti në fjalë është djegur totalisht në të gjitha pjesët duke u shkrumbuar. Nga ky zjarr i rënë dëme të vogla në pjesën e përparme ka pësuar edhe mjeti tip Benz me targë AA 335 SE në pronësi të shtetasit D.B bën të ditur policia vendore e Shkodrës.

Si shkak i nxehtësisë dëme të vogla në pjesën mbrapa ka pësuar edhe një mjet tjetër i parkuar përballë makinës që u shkrumbua nga flakët. Menjëherë pas njoftimit të marrë për zjarrin e rënë policia bën me dije se kanë shkuar shërbimet e policisë dhe ai zjarrëfikës duke bërë kështu shuarjen e zjarrit.

Mjeti në pronësi të shtetases Arta Shiroka ka qenë i parkuar në momentin kur është djegur bashkë me dy mjetet e tjera që morën dëme të vogla. Veprimet sipas policisë po kryhen me grupin hetimor.

Sipas efektivëve ka dyshime për një difekt në sistemin elektrik. Megjithatë burime pranë repartit zjarrëfikës në Shkodër kanë dyshime se zjarri në mjetin e shtetases Arta Shiroka është i qëllimshëm.

Sipas zjarrëfikësve mjeti është djegur totalisht duke u shkrumbuar në një kohë shumë të shpejtë, gjë e cila i bën të dyshojnë se mund të jetë një zjarrvënie e qëllimshme me lëndë djegëse.

Megjithatë ende nuk ka dalë i plotë akti i ekspertimit nga inspektorët e zjarrëfikësve për të treguar shkaqet e vërteta të këtij zjarri nëse ka ardhur nga një difekt teknik apo është i qëllimshëm.

Shtetasja Arta Shiroka që iu shkrumbua makina dhe persona e tjerë që pësuan dëme të vogla në mjetet e tyre si shkak i nxehtësisë dhe afërsisë kanë deklaruar në policinë vendore se nuk kanë asnjë ide përse ka ardhur kjo ngjarje dhe se s’kanë konflikte me kend. Policia po punon për ta zbardhur të plotë.