Vijon të rëndohet situata e krijuar nga përhapja e pandemisë COVID-19 në qarkun Shkodër. Këtë të dielë, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar edhe viktimën e 15 të shënuar nga ky virus. Bëhet fjalë për një 57-vjeçare shkodrane, ish-volejbollisten e Vllaznisë Gonxhe Rexhepi. Prej 10 ditësh, gjendja shëndetësore e ish-volejbollistes ishte rëduar, si shkak i infektimit me COVID-19 ndërsa vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese.

Ajo më parë ka qenë e shtruar edhe në Spitalin Rajonal të Shkodrës e si shkak i gjendjes së rënduar shëndetësore është dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar. Kjo është e dyta ditë radhazi në të cilën konfirmohen viktima nga qyteti i Shkodrës. Ndërkohë rastet e reja të konfirmuara me koronavirus janë raste kontakti. Deri më tani, numri i të infektuarve aktivë me COVID-19 është 180, një shifër relativisht e lartë e cila nuk është shënuar as në muajt mars-prill.

175 janë banorë të qarkut Shkodër të cilët si shkak i gjendjes së mirë shëndetësore vijojnë të jenë të izoluar në banesa ndërsa 5 persona janë të shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë. Prej 2 ditësh ka patur një rënie të pacientëve të hospitalizuar fatmirësisht. Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit është shënuar vetëm një përson i shëruar nga koronavirusi, duke e rritur numrin në 255 persona të rikuperuar në total. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet të gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e protokolleve të sigurisë.