Instrumentistë dhe këngëtarë nga i gjithë Ballkani u bënë bashkë në një koncert të rrallë muzikor të quajtur “Muzika tejkalon kufijtë” i cili u përmbyll me një mbrëmje të veçantë muzikore në sheshin e Shirokës në qytetin e Shkodrës.

Ky koncert u realizua nga qendra rinore “Arka” me mbështetjen e ambasadës zviceriane në Shqipëri. Përfaqësuesja e ambasadës Silvana Mjeda dhe udhëheqësi artistik, pedagogu dhe violinisti i njohur Lorenc Radovani shprehen se ky koncert i kapërceu kufijtë e ballkanit duke u bërë të gjithë bashkë përtej ndasive politike.

Arvida Kullolli Vraco është një muzikante nga Shkodra e cila prej vitesh ka krijuar jetën e saj në Bosnje Hercegovinë ndërsa miqtë e saj në vendet e Ballkanit janë të shumtë ndërsa bën thirrje që të harrojmë momentet gjeopolitike.

Instrumentistë nga vende të ndryshme të Ballkanit tregojnë se janë ndjerë mirë në këtë koncert.

“Mendoj se është i vetmi rast për të bërë muzikë ballkanike, për të bërë muzikë të gjithë bashkë. Ishte e vështirë. Kompozitori më ka pëlqyer shumë dhe kam preferuar të luaj një pjesë të shtetit që më ka mirëpritur”.

I gjithë koncerti solli këngët më të bukura të shteteve të ndryshme të Ballkanit duke ndërthurur vlerat e vërteta të artit muzikor që më shumë se na ndajnë, na bashkojnë kur fjala është për muzikën dhe kulturën.