Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës. Dy mjete janë përplasur me njëra tjetrën. Ngjarja ndodhi në afërsi të lagjes Xhabiej në një prej akseve kryesore të qytetit të Shkodrës. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e shërbimit kombëtar të urgjencës për të transportuar personat e lënduar. Sipas burimeve spitalore gjendja shëndetësore e personave që ndodheshin në dy mjetet e përplasura është e mirë pasi kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe policia rrugore e Shkodrës dhe grupi hetimor duke nisur menjëherë hetimet paraprake rreth këtij aksidenti të ndodhur. Sipas burimeve policore shkak i këtij aksidenti në këtë aks kryesor të qytetit është bërë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nga mjetet e përfshira në aksident ndërsa dyshohet se është edhe shpejtësia përtej normave të lejuara.

Gjithsesi i vetmi dëm është ai material në makinat përkatëse që u aksidentuan. Në fakt ka qenë një aksident i rrezikshëm sepse në momentin kur ka ndodhur ka patur një lëvizje të mjeteve të tjera por edhe të atyre që ecin me biçikleta dhe këmbësorëve për shkak se është një zonë ku ka qarkullim të konsiderueshëm në pjesën më të madhe të kohës. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti të ndodhur.

Ndërkohë aksidentet rrugore në qytetin e Shkodrës vazhdojnë që të mbeten një problem shqetësues. Në këto muaj të verës ku edhe lëvizja është shumë më e madhe dhe trafiku më i rënduar aksidentet janë më të shumta dhe kryesisht vijnë nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor.

Nga ana e saj policia vendore e Shkodrës shton kontrollet në disa prej akseve por edhe gjobat por sërish ndërgjegjësimi i drejtuesve të mjeteve mbetet i ulët duke bërë që të ketë një numër të shtuar të aksidenteve rrugore.

Artikulli paraprakSHKODËR, LAGJJA “PARTIZANI” PA RRUGË
Artikulli tjetërDOM GJERGJ SIMONI NJIHET ME DOSJEN E SIGURIMIT