Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se vijon kontrollet për parandalimin, evidentimit dhe goditjen e paligjshmërisë. Në këtë mënyrë policia ka arrestuar një 22 vjeçar për lotari sportive që janë të ndaluara si dhe ka shpallur në kërkim një shtetas tjetër po për të njëjtën arsye.

Policia e Shkodrës njofton se si rezultat i kontrolleve është evidentuar dhe goditur një rast i ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit. Policia ka vënë në pranga një 22-vjeçar që punonte si banakier në lokal dhe shpallet në kërkim pronari i lokalit ku ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme.

Në vijim të kontrolle të ushtruara nga shërbimet e Policisë në qytetin e Shkodrës, për goditjen e aktivitetit të lojërave të fatit, u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim, shtetasi A. Xh, 22 vjeç, banues në Shkodër.

Nga kontrolli i ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit N. Xh, ku ky shtetas punonte si banakier, Policia gjeti në celularin e tij aplikacione për vendosjen e ndeshjeve sportive dhe biseda në të cilat ka pranuar porosi për baste sportive, si dhe një shumë parash.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit N. Xh, 30 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim. Policia njofton se Vijon puna për kapjen e shtetasit N. Xh. dhe materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Disa muaj më parë policia vendore e Shkodrës goditi një rrjet të gjërë të personave që lejonin vendosjen e basteve në lokale të ndryshme apo mjedise të tjera në qytetin e Shkodrës të cilat janë të ndaluara. Pavarësisht kësaj ky aktivitet duket se ka vijuar përmes formave të tjera me aplikacione në celular duke bërë kështu që policia të ushtrojë kontrolle të herë pas hershme siç është rasti i fundit me një të arrestuar dhe një tjetër i shpallur në kërkim.