Ramazan Rexhepi 68 vjeç nga Oblika dhe Llesh Krypca 69 vjeç janë dy pensionistë të cilët kanë mbi 4 muaj që presin rihapjen e transportit publik. Sot siç ishte paralajmëruar rinisi lëvizja e autobuzëve të qytetit dhe dy pensionistët janë nga personat e paktë që kanë pritur për të udhëtuar me autobus. Ata thonë se ka qenë shumë e vështirë për ta sepse nuk kanë patur me çfarë të lëvizin.

Një pjesë e atyre pak qytetarëve që lëvizën në këtë ditë të parë me autobusët e qytetit janë të paisur me maska mbrojtëse duke qenë se në të kundërt rrezikojnë gjobitjen në rast se do të ketë një kontroll. Njëri nga pensionistët është nga Bushati por brenda qytetit të Shkodrës lëviz me autobus sepse nuk ka një mundësi tjetër.

Më përpara qytetarët kanë kërkuar që transporti publik të hapej prej kohësh sepse pjesa më e madhe nuk kanë mundësi ekonomike që të lëvizin me taksi ndërkohë që një kërkesë e tillë ka ardhur edhe nga vetë operatorët e transportit publik.

Pas shkresave të ndërsjellta me bashkinë Shkodër u vendos rihapja e lëvizjes së autobusëve të qytetit. Në ditën e parë nuk kishte shumë qytetarë mbase edhe nga mungesa e informacionit. Gjithsesi autobusi do të jetë çdo ditë në dispozicion të qytetarëve pa harruar zbatimin e rregullave të vendosura ndaj COVID-19.