Me një tjetër bilanc negativ ka filluar edhe kjo e martë për qytetin e Shkodrës. Një tjetër person ka humbur jetën si shkak I infektimit me COVID-19. Bëhet fjalë për një të moshuar 64-vjeçare e cila vuante edhe nga sëmundje bashkëshoqëruese, duke e rritur numrin e viktimave në 17.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe gjashtë raste të reja pozitive me koronavirus në qytetin e Shkodrës, si shkak I transmetimit komunitar. Që prej përhapjes së pandemisë, numri I të prekurve nga ky infeksion për qarkun e Veriut është 470 persona, ndër të cilët raste aktive janë 190 prej tyre. Kjo është shifra më e lartë e personave të infektuar në Shkodër e regjistruar deri më tani.

Pothuaj 90% e të infektuarve janë qytetarë të izoluar në banesa. Drejtoria Vendore e Policisë vijon kontrollet në banesat e të infektuarve nëse po zbatojnë apo jo karantinën deri në momentin që të rezultojnë negativë me koronavirus. Ndërkohë, të shtruar në Spitalin Infektiv janë 7 persona.

Pas rritjes së numrit të persoanve të infektuar me COVID-19, e qetë nuk po paraqitet situata sa I takon numrit të personave të shëruar nga ky infeksion. Në javën e fundit kemi të bëjmë me mesatarisht një person të shëruar në ditë, ndërsa është rritur ndjeshëm edhe numri I viktimave.

Deri më tani, situata duket se është nën kontrollin e institucioneve shëndetësore në Shkodër, ndërsa vijon apeli ndaj qytetarëve për të ndjekur rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për të frenuar përhapjen e COVID-19.