Një pemë që u rrëzua në lagje “Rus” në Shkodër në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Skenderbeg” rrezikoi jetën e shumë personave që ndodheshin aty. Pema fatmirësisht ka rënë mbi dy furgonë që ishin të parkuar duke i shembur ndërsa nuk ka patur asnjë të lënduar.

Shoferët e furgonëve tregojnë se si ndodhi rrëzimi i pemës dhe se si furgonët shpëtuan jetën e kalimtarëve që ishin në atë moment.

Shoferë të tjerë shprehen se në momentin kur pema u rrëzua mbi furgonët në rrugë kishte shumë kalimtarë duke qenë se ai aks është tejet i frekuentuar dhe se mund të kishte patur shumë të dëmtuar.

Shoferët kërkojnë që të merren masat e duhura sepse po në atë rrugë ka edhe shumë pemë të tjera të cilat mund të rrëzohen dhe mund të ketë edhe të plagosur apo viktima.

Star Plus disa herë ka ngritur shqetësimin e pemëve që rrezikojnë në shumë lagje të ndryshme të qytetit, që nga hyrja dhe deri në fund të Rusit, bashkë me disa trotuare ku janë mbjellë pemë vitet e fundit të cilat tashmë mund të rrëzohen bashkë me shqetësimin e pemëve shumë vjeçare si në Pazarin e Vjetër në hyrje të Shkodrës, në Rus ku ndodhi kjo ngjarje por edhe lagje të tjera.

Kësaj radhe ishin furgonët që shpëtuan kalimtarët dhe pyetja që shtrohet është po herën tjetër kush do i shpëtojë?

Artikulli paraprakARRESTOHET 32 VJEÇARJA, VIDHTE NË BANESA
Artikulli tjetërPËRROI I VRAKËS NDOT LIQENIN E SHKODRËS