Partia Demokratike ka dorëzuar në fund listat e kandidatëve për deputetë duke kaluar orën 24:00 që ishte edhe afati i fundit.

Ndër 11 qarqe është dorëzuar edhe lista e kandidatëve për deputet të qarkut Shkodër. Kjo listë ka në përbërje emra që priteshin dhe përfliteshin prej kohësh por nuk kanë munguar surprizat nga kreu i PD Lulzim Basha. Ai që do të marrë stafetën e kryesimit është profesor Romeo Gurakuqi i cili zëvendëson ish-deputeten që udhëhoqi shumë fushata në Shkodër Jozefina Topallin. Kjo e fundit pasi la disa detyra si nënkryetare e PD tashmë nuk do të jetë as deputete sepse kryetari Basha e ka përjashtuar duke mos e vendosur në lista bashkë me disa figura të tjera të PD si Majlinda Bregu, Astrit Patozi apo Eduart Selami dhe disa të tjerë.

Numri dy në listën e PD-së në Shkodër është një emër suprizues. Izmira Ulqinaku edhe pse pa eksperiencë politike është një emër që vjen nga radhët e të rinjve duke marrë mbi vete një peshë jo të vogël. I shumëdiskutuar për karrierën e tij Lorenc Luka rikthehet fuqishëm në skenën politike. Pas dy vitesh pushim pasi la postin e kryetarit të bashkisë duke u zëvendësuar nga Voltana Ademi, Luka e gjen veten i treti në listën e kandidatëve të PD. Nga deputetët aktual janë vetëm dy që rikandidojnë. Helidon Bushati kësaj radhe është i katërti por nuk ka ndonjë problem sepse është në listën e sigurtë të atyre që shkojnë në parlament nga qarku Shkodër.

Nard Ndoka si aleat por edhe si përfaqësues i zonës së Vau Dejës është vendosur i pesti nga kryetari Basha duke e detyruar që kësaj radhe të mos e bëjë gjumin e qetë por të punojë shumë më fort se në 2013-ën në mënyrë që të sigurojë më shumë vota në Vau Dejës, zonë e cila po gjuhet nga shumë kandidatë për të thither vota. Bardh Spahia këtë herë është i 6-ti në listë, një pozicion jo shumë komod sepse nuk ka asgjë të sigurtë edhe PD në Shkodër objektivin publik e ka 7 deputetë. I 7-ti në radhë është Anton Kokaj, ish-kandidati i PD për bashkinë Malësi e Madhe në 2015-ën që do të përfaqësojë zonën e tij.

Më shumë zhgënjim mund të ketë kreu aktual i PD në degën Shkodër Ramiz Çobaj duke qenë se është i 8-ti në listë pa asnjë shans për të qenë në parlament. Çobaj ka tentuar listën e sigurtë dhe këtë e ka lënë të kuptohet edhe në deklaratat publike të tij. Tashmë duhen pritur edhe 3 emrat e tjerë të listës. Përveç Jozefina Topallit nga Shkodra mbesin jashtë parlamentit edhe Irma Kopliku dhe Gjovalin Bzheta që mbyllën këtë mandat të deputetit. Tashmë 3 forcat e mëdha politike, PD, PS dhe LSI kanë publikuar listat dhe nuk mbetet gjë tjetër veçse të nxehën motorët për fushatën elektorale.

(22 korrik 2016 Romeo Gurakuqi)

(28 mars 2017 Izmira Ulqinaku)

(30 korrik 2015 Lorenc Luka)

(25 mars 2016 Helidon Bushati)

(25 maj 2017 Nard Ndoka)

(23 mars 2017 Bardh Spahia)

(5 gusht 2016 Anton Kokaj)

(21 maj 2017 Ramiz Çobaj)

(8 mars 2016 Jozefina Topalli)

Artikulli paraprakLISTAT, BASHA MARRËVESHJE ME MEDIUN E DUKËN, SPAHIU JASHTË
Artikulli tjetërSPOSTOHET BERISHA, FUTET NË KUVEND VAJZA E AZEM HAJDARIT, DUMA E KOSOVA