Stuhia e fuqishme e një muaji më parë e cila shkaktoi dëme të mëdha në qarkun e Shkodrës nuk ka kursyer as masivin pyjor në Malin e Taraboshit.

Me dhjetra pemë dhe degë pemësh i gjen të rrëzuara përtokë duke u kthyer në fakt në rrezik për vizitorë të ndryshëm që mund të ndalojnë një shëtitje në malin e Taraboshit, sidomos turistët e huaj.

Megjithatë Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër ka nisur punën për procesin e vlerësimit të dëmit të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore përfshi edhe borën që ra në Shkodër e cila ka rrëzuar në tokë shumë pemë.

Ndërkohë paraditen e kësaj të Hëne inspektorët e Administratës së Zonave të Mbrojtura kanë parë nga afër gjendjen për të bërë më pas të mundur largimin e pemëve të rrëzuara nëpërmjet firmave që janë të interesuara të shfrytëzojnë këtë lëndë.

Përgjegjësi i këtij institucioni Festim Broja thotë për Star Plus se po punojmë për të pastruar zonën në fjalë aty ku kanë rënë pemët me qëllim që të shmangim kështu edhe rrezikun tek turistët që kanë dëshirë të vizitojnë Malin e Taraboshit

I pyetur nëse kemi të bëjmë me shkelje të moratoriumit në pyje dhe konkretisht në Tarabosh, Broja siguron se dëmi ka ardhur vetëm si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe sipas tij zona në fjalë mbulohet me monitorues 24 orë.

Pyjet e rrezuara nga era e fortë kishin bllokuar për disa ditë edhe rrugë që ngjitesh për në malin e Taraboshit por në vend kanë shkuar inspektorët e ADZM Shkodër të cilët kanë bërë veprimet e duhura për të zhbllokuar rrugën.