Këto ditë një kontroll blic ka mbërritur tek zyra e ALUIZNIT në Shkodër. Sipas burimeve bëhet fjalë për një kontroll që ka ardhur nga njësia antikorrupsionin e TASK-FORCËS e përbërë nga disa institucione të ndryshme për të goditur rastet korruptive në zyrat e drejtorive apo edhe në rang më të lartë.

Në këtë mënyrë radha ka qenë për drejtorinë e legalizimeve në Shkodër e cila para pak ditësh ka patur këtë kontroll nga TASK FORCA.

Fokus kryesor i këtij aksioni të njësisë antikorrupsion kanë qenë dosjet e shumta të cilat përpunon drejtoria e ALUIZNIT gjatë gjithë kësaj kohe apo edhe ato dosje të cilat kanë ngecur për arsye nga më të ndryshmet duke mos shkuar në duart e atyre që kanë aplikuar.

Përveç dosjeve pjesë e këtij kontrollit të Task Forcës ka qenë edhe zbatueshmëria e rregullave të përcaktuara për të gjithë punonjësit deri tek drejtori i ALUIZNIT në Shkodër Albert Spahiu.

Drejtoria e legalizimeve është një prej institucioneve më delikate dhe ku qytetarët kanë ankesa të shumta për shkak se bëhet fjalë për çështje pronësie, pra pajisja me lejen e legalizimit që më pas shoqërohet me çertefikatën e pronësisë.

Në këtë mënyrë TASK FORCA kë zgjedhur ALUIZNIN për të bërë këtë kontroll duke marrë parasysh edhe ankesat e qytetarëve.

Pak kohë më parë ALUIZNI ishte pjesë e disa institucioneve të tjera që u përmendën nga ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj pas një aksioni që përfundoi me të arrestuar tek hipoteka dhe deri tek shkarkimet apo masat ndëshkuese tek ALUIZNI.

Po ashtu drejtori i ALUIZNIT Albert Spahiu është një nga ata që përflitet për t’u larguar nga ky post bashkë me disa drejtorë të institucioneve të tjera në vazhdimësi.