Një aksident i rëndë i ka marrë jetën një 33 vjeçari. Viktima është shtetasi Emirjan Kacoli, 33 vjeç banues në fshatin Stajkë të bashkisë Vau Dejës.

33 vjeçari ka qenë duke blerë në një market në afërsi të fshatit Stajkë kur papritur një mjet tip benz me targë SH 3675 E ngjyrë e bardhë duke ecur me shpejtësi ka përplasur shtetasit Emirjan Kacoli duke e lënë të vdekur.

Përveç shpejtësisë një faktor ishte edhe errësira në rrugë në atë moment.

Sipas njoftimit të policisë mjeti tip benz drejtohej nga shtetasi S.Gj 17 vjeç i cili menjëherë pas aksidentit të rëndë është shoqëruar në mjediset e drejtorisë vendore të policisë Shkodër për veprime të mëtejshme. Sipas burimeve 17 vjeçari nuk ka leje drejtimi.

Nga të dhënat në vendngjarje Star Plus mësoi se shtetasi Emirjan Kacoli kishte ndalur motorin e tij tip Yamaha tek një market në anë të rrugës kryesore për të blerë diçka aty.

Ka qenë ora 20:40 kur mjeti tip benz duke ecur me shpejtësi është përplasur me motorin dhe 33 vjeçarin Emirjan Kacoli.

Menjëherë pas aksidentit të rëndë në vendngjarje mbërriti ambulanca e spitalit rajonal të Shkodrës por ishte e pamundur që 33 vjeçari të shpëtonte pas goditjes së fortë që kishte marrë në trupin e tij duke bërë që të humb jetën.

Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe forcat e policisë dhe grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti me pasojë.

Si shkak i këtij aksidenti disa dëme materiale u shkaktuan edhe tek marketi në anë të rrugës sepse mjeti tip benz u afrua deri tek hyrja.

Sipas burimeve përveç 33 vjeçarit Emirjan Kacoli që humbi jetën edhe disa persona të tjerë që ndodheshin aty në atë moment kanë rrezikuar që të aksidentohen.

Për rreth 1 orë aksi Shkodër-Mjedë, në afërsi të fshatit Kaç qëndroi i bllokuar për shkak se mjeti tip benz ndodhej në mes të rrugës duke bërë që makinat e tjera të devijojnë në akse dytësore.

Aksidentet në Shkodër vazhdojnë që të mbeten një problem si shkak i pakujdesisë të drejtuesve dhe në shumë raste shpejtësisë mbi normat e lejuara.