Këto janë pamjet në disa pika problematike sa i përket mbetjeve urbane përgjatë aksit rrugor Shkodër-Velipojë.

2 muaj e gjysmë pasi Bashkia Shkodër hapi sezonin turistik në Velipojë, situata e mbetjeve në aksin me gjatësi 18.5 km nga Shkodra në plazh, mbetet mjaft problematike.

Në një pjesë të madhe të zonës mungojnë koshat për hedhjen e mbetjeve, por edhe aty ku janë prezentë, pirgje me mbeturina shfaqen si panoramë e përditshme.

Në shumë fshatra konteinerët mungojë ç’ka detyron banorët që formojnë pika të caktuara për hedhjen e mbeturinave. Në të shumtën e rasteve kanalet e kullimit shërbejnë si vend për depozitimin e mbeturinave duke bërë që uji për vaditje, i cili kalon përmes tyre të jetë vazhdimisht i ndotur.

Ndërkaq aksionet e forcave të ushtrisë në disa zona të Bashkisë Shkodër nuk kanë mjaftuar që të bëhet pastrimi total i dy anëve të rrugës. Këtë e tregon qartë aksi Shkodër-Velipojë, ku qindra mijëra turistë gjatë udhëtimit të tyre shoqërohen nga mbetjet e shumta urbane të depozituara në dy anët e rrugës.

Disa herë është apeluar që të mbahet pastër aksi Shkodër-Velipojë, por sërish situata e mbeturinave ka degraduar duke bërë që menaxhimi i tyre të jetë sfidë për Bashkinë Shkodër.