Një vrasje me thikë ka ndodhur në orët e pasdites të një dite më parë në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur “Ura e Thive” në lagjen “Mark Lula”. Viktima është 54 vjeçari Prendush Fusha.

Ky shtetas ka marrë një goditje poshtë zemrës me thikë duke bërë që të mos arrijë ta përballojë. Vrasja ndodhi në afërsi të banesës së 54 vjeçarit që humbi jetën. Pas kësaj vrasje policia dyshon se autori është shtetasi Alfred Pllumi.

Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e spitalit rajonal të Shkodrës duke bërë të mundur transportimin e 54 vjeçarit në urgjencë.

Në pak minuta mjekët kanë konfirmuar ndarjen nga jeta të Prendush Fushës duke qenë se goditjen me thikë e ka marrë në zemër dhe ka humbur sasi të konsiderueshme gjaku.

Forcat e policisë menjëherë pas informacioneve të marra në rrugë operative në terren kanë arritur të bëjnë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar Alfredi Pllumi.

Burimet policore bëjnë me dije se ditët e fundit në banesën e viktimës është vjedhur një shumë e konsiderueshme parash.

Pas kësaj ngjarje viktima Prendush Fusha ka shkuar në polici dhe ka bërë një padi duke përmendur si autor të mundshëm të vjedhjes pikërisht 30 vjeçarin Alfred Pllumi.

Forcat e policisë kanë shoqëruar shtetasin që 54 vjeçari e ka përmendur si autor të vjedhjes por Alfred Pllumi ka mohuar se ai ka lidhje me atë vjedhje. Policia duke mos patur prova për autorsinë e vjedhjes e ka lënë të lirë 30 vjeçarin.

Më pas Alfred Pllumi gjatë pasdites të një dite më parë ka shkuar në banesën e Prendush Fushës duke i kërkuar llogari në lidhje me padinë për vjedhje që ka bërë në adresë të tij.

30 vjeçari ia ka mohuar se është ai autor i vjedhjes por nga ana tjetër 54 vjeçari nuk është bindur nga fjalët e tij.

Në debat e sipër policia dyshon se shtetasi Alfred Pllum ka nxjerrë një thikë që e kishte me vete dhe ka goditur poshtë zemrës 54 vjeçarin Prendush Fusha i cili humbi jetën në spitalin rajonal të Shkodrës.

Policia është vënë në ndjekie të autorit të dyshuar teksa po punohet për gjetjen dhe më pas kapjen e tij.