Rënia e xhamave nga ndërtesat relativisht të larta dhe të mëdha në Shkodër tashmë po kthehet në një shqetësim serioz.

Nuk është vetëm apartamenti në lagjen Rus, i famshëm për rënien e xhamave dhe rrezikun që krijohet por edhe një tjetër ndërtesë në mes të qendrës së qytetit. Gjatë orëve të paradites së sotme një tjetër xham ka rënë nga godina që ndodhet në hyrje të pedonales “Kolë Idromeno”.

Kësaj radhe xhami u shkëput nga lartësia në hyrje të rrugicës që të çon tek Kisha Françeskane duke rënë në tokë. Sipas burimeve në atë moment shumë afër ndodhej një person i cili ishte duke kaluar aty dhe është rrezikuar seriozisht pasi xhami ka rënë shumë afër tij.

Po ashtu në lëvizje kanë qenë edhe shumë persona të tjerë për shkak se ajo rrugicë frekuentohet tepër duke qenë se ndodhet në qendër të qytetit dhe ndërlidhet me një sërë institucionesh apo edhe njësi të ndryshme tregtare dhe jo vetëm.

Kjo nuk është hera e parë që një xham bie nga kjo ndërtesë sepse sipas burimeve është xhami i 16-të që është shkëputur duke rënë në tokë dhe duke rrezikuar jetën e kalimtarëve.

Poshtë kësaj godine ndodhen një numër dyqanesh të ndryshme apo njësi të tjera në të cilat ka një lëvizje të madhe nga ana e qytetarëve. Rënia e këtyre xhamave tashmë edhe në një godinë në mes të Shkodrës është një kërcënim i madh për jetën e të gjithë atyre që kalojnë aty apo që kanë shtëpitë ose dyqane e lokale.

Shpesh është ngritur një shqetësim i tillë por deri më tani asnjë prej institucioneve përgjegjëse nuk ka marrë as mundimin më të vogël si dhe asnjë lloj mase për ta ndaluar këtë skandal që përsëritet herë pas here me rënien e xhamave.

Kjo çështje është ngritur edhe në këshillin bashkiak të Shkodrës dhe pavarësisht premtimeve deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar. Star Plus do të vijojë që të denoncojë këto raste të rënda që kanë të bëjnë direkt me jetën e qytetarëve.

Ndoshta institucionet po presin që të vdesë ndokush nga rënia e xhamave për t’u alarmuar më pas dhe marrë masat e nevojshme përderisa askush nuk do t’ia dijë për këtë situatë problematike.

 

 

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE