Në kushte pandemie dhe me një program të ndryshuar në plazhin e Velipojës është zhvilluar për të katërtin vit aktiviteti “Velipoja Fest” i organizuar nga bashkia Shkodër në bashkëpunim me një sërë organizatash. Drejtori i turizmit në bashkinë Shkodër Gentian Mema shprehet se këtë vit ka një reduktim të programit për shkak të COVID-19, megjithatë janë gjetur mundësitë për të promovuar plazhin e Velipojës por edhe sportet ujore si një mundësi më shumë.

Kastriot Faci, drejtues i organizatës “The Door” shprehet se përmes xhirove me kanoe por edhe argëtime të tjera synohet nxjerrja në pah e mundësive që ka plazhi i Velipojës për pushuesit.

Pavarësisht se aktiviteti është zhvilluar në ditën e caktuar nga ana e bashkisë Shkodër këtë të shtunë numri i pushuesve ka qenë shumë më i ulët se fundjavat e zakonshme, e para për shkak të COVID-19 dhe e dytë si shkak i motit të përkeqësuar ditët e fundit që vijon ende me temperatura më të ulëta në këto ditë të gushtit.