Një prej rregullave i cili vazhdon që të jetë në fuqi është ndalimi për zhvillimin e dasmave apo edhe çdo lloj feste tjetër apo eventi të ngjashëm ku grumbullohen shumë persona. Pavarësisht kësaj disa lokale në qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë guxuar duke lejuar zhvillimin e dasmave ndërsa policia ka arrestuar disa pronarë lokalesh.

Tashmë rasti i parë vjen edhe në qytetin e Shkodrës teksa është proceduar në gjendje të lirë menaxherja e një lokali. Policia vendore e Shkodrës bën të ditur në njoftimin e saj se lokali në fjalë ka organizuar dasëm në mjediset që disponon në kundërshtim me Aktin Normativ ndërsa është proceduar me masë administrative 1 milion lekë menaxherja e subjektit.

Njëkohësisht menaxherja e lokalit është proceduar edhe penalisht për kundërshtim të forcave policore. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të Aktit Normativ nr. 3, pas njoftimit të marrë në Polici se në nje lokal po organizohet dasëm, menjëherë është bërë verifikimi duke shkuar në adresën e dhënë.

Në momentin që kanë mbërritur forcat policore shtetasja E. N, 25 vjeçe, banuese në Shkodër, si menaxhere e këtij subjekti, ka mbyllur portën hyrëse duke penguar forcat e policisë të futen në mjediset e brendshme për kontroll, në kuadër të masave anticovid.

Nga strukturat e Policisë janë kryer veprimet hetimore ku është proceduar ne gjendje të lirë shtetasja E. N, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” si dhe në zbatim të Aktit Normativ nr. 3, është marrë masa administrative ndaj këtij subjekti me 1 milion lekë gjobë.

Pjesa më e madhe kanë anuluar dasmat e tyre për këtë sezon ndërsa ka edhe prej atyre që kanë arritur t’i zhvillojnë duke i shpëtuar kontrolleve të policisë dhe gjobave. Anulimi i dasmave ka sjellë një dëm të madh ekonomik për një sërë subjektesh dhe individësh që merren me organizimin e tyre.