Shërbimi i kujdesit shëndetësor në Shkodër ka nxjerrë shkakun e helmimit të nxënësve të shkollës së mesme të bashkuar “Adem Haxhija” në Postribë”. Pas analizave të kryera rezulton se helmimi ka ardhur nga prania e salmonelës. Të paktën 16 persona nga 20 mostra të marra kanë rezultuar se helmimi ka ardhur nga salmonela.

Tashmë kjo është zyrtare përmes Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër ndërsa këto rezultate i janë dërguar edhe institucioneve të tjera si spitalit rajonal të Shkodrës në repartin e infektivit por edhe Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Në total nga shkolla e Postribës janë 61 nxënës të helmuar në total të cilët shkuan të gjithë në spital me simptoma të njëjta, temperaturë të lartë por edhe të vjella dhe disa shqetësime të tjera që sjell helmimi.

Mjekët menjëherë konfirmuan se dyshimi kryesor është intoksikimi nga përdorimi i ushqimeve. Vetë nxënësit dhe prindërit deklaruan se ky helmim masiv ka ardhur nga ushqimet e blera në një fast food në afërsi të shkollës së Postribës. Pasi ngjarje u bë publike, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi këtë dyqan në afërsi të shkollës.

Nga ana tjetër pronarët u shoqëruan duke u marrë në pyetje rreth kësaj çështje ndërsa hetimi vazhdon. Një mbledhje u zhvillua edhe në zyrën e prefektit të Qarkut Shkodër Çesk Millja rreth kësaj ngjarje me përfaqësues të institucioneve të ndryshme për të ardhur tek rezultatet zyrtare të shkaqeve që helmuan 61 nxënësit e shkollës së Postribës nga salmonela.

Kjo do të thotë se tashmë siguria ushqimore vazhdon që të jetë tejet e ulët dhe rreziku për t’u helmuar si në këtë rast është i lartë duke qenë se ushqimet vijojnë të tregtohen të pakontrolluara siç duhet duke bërë që institucionet të dështojnë.