Tre shtetas të dyshuar për vjedhjen e një banese në qytetin e Shkodrës janë arrestuar nga forcat e policisë. Kështu sipas policisë shtetasit Bruno Ferketa 30 vjeç, Fadjol Saraçi 29 vjeç dhe Myzafer Qallija 58 vjeç që të tre banues në Shkodër kanë rënë në prangat e policisë.

Sipas policisë vendore të Shkodrës këta tre shtetas tre ditë më parë dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje banesën e një shtetasi 60 vjeçar në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër.

Sipas burimeve tre të dyshuarit kanë gjetur në banesë afro 1 milion lekë të vjetër dhe disa bizhuteri floriri që ndodheshin brenda në shtëpi.

Këta shtetas dyshohet se me 2 shkurt në orët e paradites kanë thyer banesën në lagjen “Vasil Shanto” dhe kanë hyrë brenda duke marrë paratë dhe bizhuteritë e floririt.

Sipas burimeve policore në shtëpi në atë moment kur është kryer kjo vjedhje nuk ndodhej askush. Ka dyshime se njëri nga të arrestuarit ka patur dijeni dhe njohje me familjen ku ndodhi kjo ngjarje.

Pasi është kryer vjedhja dhe pas denoncimit të bërë nga ana e familjarëve policia vendore e Shkodrës është vënë në lëvizje për të gjetur autorët e dyshuar.

Brenda një kohe të shkurtër pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga ana e policisë është arritur që të arrestohet tre shtetasit Bruno Ferketa, Fadjol Saraçi dhe Myzafer Qallija si të dyshuar për atë ngjarje.

Policia vendore e Shkodrës bën të ditur në njoftimin e saj se të arrestuarit dyshohen edhe për disa vjedhje të tjera banesash që kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës ndaj vijojnë hetimet për të siguruar provat për vjedhjen e fundit por edhe vjedhje të tjera të ndodhura më parë.

Ajo që vijon të mbetet shqetësuese në Shkodër është numri i shtuar i vjedhjeve dhe pasiguria që mund të kenë qytetarët.