Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej fenomeneve që njeh rritje në Shqipëri. Vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 4800 raste dhune, pothuaj 12 raste të tilla në ditë.

Në Gjykatën e Apelit të Qarkut Shkodër, shifrat tregojnë një realitet ndryshe nga ai i një viti më parë. Në bazë të një raporti të Gjykatës së Apelit, qyteti i Shkodrës mbetet një shqetësim.

Në statistikat e 9 mujorit të fundit janë paraqitur 140 raste dhune, ku vetëm 81 denoncime kanë ndjekur procedurat ligjore për zgjidhje të martesës, 32 raste janë pushuar menjëherë nga gjykimi dhe 17 të tjera kanë rrëzuar kërkesën për urdhër mbrojtje.

Pa llogaritur këtu rastet e dhunës të cilat nuk i janë drejtuar policisë për të bërë denoncim dhe për të kërkuar urdhër mbrojtje apo rastet e tjera që i drejtohen organizatave të shoqërisë civile.

Sipas statistikave të nxjerra nga Gjykata e Apelit Shkodër, bëhet me dije se nuk ka patur raste të shkeljes së urdhrit të mbrojtjes duke treguar në këtë mënyrë edhe forcën e ligjit mbi personat që nuk i përmbahen rregullave dhe normave ligjore.

Gjatë vitit 2018, organet kompetente kanë ndërmarrë projekte dhe iniciativa për parandalimin e dhunës në familje dhe denoncimin e saj nga personat që bien pre e dhunës. Muajin nëntor njihet si muaji kundër dhunës me bazë gjinore.

Gjatë ditëve në vazhdim do të zhvillohen një sërë aktivitetesh në mbështetje të viktimave të dhunës.

 

 

Artikulli paraprak“PËRJETIM ARTISTIK I GJERGJ KASTRIOT SKENDERBEUT”
Artikulli tjetërLEZHË, BASHKIA PASTRON KANALIN PËRMES QYTETIT