Stacioni metereologjik i Shkodrës për herë të parë që nga viti 1955 do të ketë tashmë një stacion automatik metereologjik I cili mbledh të dhënat në mënyrë automatike të cilat mblidhen nga vrojtuesi pranë këtij stacioni. Rudina Zaçe, zëvendës drejtore e shërbimit metereologjik ushtarak thotë se me këtë paisje të re stacioni metereologjik i Shkodrës modernizohet.

Parashikimi i motit në Shqipëri bëhet për 24 orë me një tendencë deri në 5 ditë ndërsa prania e stacionit automatik bën që të ketë një koherencë sa i përket mbledhjes së të dhënave.

Zëvendës drejtorja e shërbimit metereologjik thotë se Shkodra është një rajon i rrezikuar por nëse bëhet në kohë njoftimi për përkeqësimin e motit atëherë qytetarët dhe institucionet mund të marrin masat përkatëse për ta shmangur sa më shumë dëmet nga fatkeqësitë natyrore.

Në të ardhmen pritet që stacionet metereologjike në Shqipëri sidomos ai i Shkodrës si një prej rajoneve më të rrezikuar të njohin edhe më shumë modernizim me paisje të reja që mundësojnë një gjë të tillë.