Një çadër me vete nuk është asnjëherë e tepërt, aq më shumë në Shkodër një qytet ku reshjet e shiut janë gjithnjë prezente. Këto tre ditët e fundit edhe pse jemi në muajin gusht në mes të verës, shumë qytetarë i janë rikthyer rrobave me mëngë të gjata apo edhe mbajtjes së çadrave me vete. Frika se nga momenti në moment mund të ketë reshje shiu ka bërë që qytetarët të marrin masat e duhura për të mos u gjendur të papërgatitur në rrugët e qytetit.

Këto pamje në këto ditë të gushtit kur temperaturat zakonisht kanë qenë të larta dhe i nxehti ka përvëluar vendin janë të pazakonta e megjithatë përkeqësimi i motit në këto tre ditë ka sjellë një situatë të tillë që në fakt askush nuk e ka pritur apo edhe dëshiruar. Ky përkeqësim i motit ka shtuar njerëzit në qytete ndërsa është ulur numri i pushuesve në plazhe duke patur një ndikim të drejtpërdrejtë.

Sipas Meteo Alba alternime kthjellimesh dhe vranësirash të herë pas-herëshme mbizotëruan motin në vendin tonë gjatë paradites. Mesdita solli një zhvillim të vranësirave dhe shira të izoluar në disa vende. Ajo që parashikon Meteo Albas është që pasditja dhe mbrëmja të përmirësojnë dukshëm kushtet e motit në Shqipëri.

Temperaturat e ajrit mbetën kostante në mëngjes dhe u rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 12°C deri në 33°C. Era do fryjë mesatare me shpejtesi 40 km/h nga drejtimi Verilindor-Veriperëndimor duke krijuar ne det dallgëzim 4 ballë. Kontinenti Europian në pjesën më të madhe të tij do të përfshihet sërish nga mot i kthjellët dhe temperatura të larta.

Konkretisht në temperatura të larta paraqitet Pellgu i Mesdheut dhe pjesërisht Qendra e Europës. Ndërsa Ballkani Perëndimor pjesërisht paraqitet me mot të vranët dhe rrebeshe shiu.