Rruga e “Karinëve” në qytetin e Shkodrës është drejt përfundimit. Pas ndërhyrjes në infrastrukturën nëntokësore, tashmë po hidhet shtresa e fundit asfaltike.

Ka qenë një kerkesë e vetë banorëve për rikonstruksionin e kësaj rruge në zemër të qytetit, kerkesë që ka gjetur mbështetjen e Bashkisë. Janë vetë banorë të kësaj rruge që e pohojnë dhe shprehin falënderimet e tyre edhe për mirëfunksionimin e binomit komunitet- qeverisje vendore.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi ka bashkëbiseduar me banorët edhe për çështje të tjera që lidhen me infrastrukturën por edhe disiplinimin e qarkullimit të mjeteve, sipas kërkesave të vetë banorëve.

Rikonstruksioni i rrugës së Karinëve është mundësuar me një fond 59 milion lekë nga të ardhurat e vetë Bashkisë së Shkodrës.

Ndërhyrja ka qenë e plotë në rrjetin e KUB, KUZ, ndriçim LED, linjat e fibrave optike e internetit dhe sinjalistikën. Kjo rrugë, është një tjetër premtim i mbajtur i Bashkisë së Shkodrës.