Qeveria këtë vit ka vendosur që të shpërblejë me 5 mijë lekë të rinj të gjithë pensionistët me rastin e festave të fundvitit. Ky shpërblim do të tërhiqet nga të moshuarit duke filluar nga data 17 dhjetor.

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ashtu si një vit më parë, do të ketë një kalendar të posaçëm për tërheqjen e shpërblimit.

Kalendari do të miratohet nga ISSH dhe nuk do të ketë vonesa, në mënyrë që pensionistët ta marrin shpërblimin disa ditë para ndërrimit të viteve

Shpërblimi
Shpërblimin do të marrin të gjithë pensionistët. Edhe në rastet kur është një kryemfiljar pensionist, si dhe bashkëshortja e tij pensioniste, përsëri secili prej tyre do të përfitojë 5 mijë lek shpërblim.

Në aktin normativ që ndryshoi buxhetin e vitit 2018 pak muaj më parë, qeveria ka akorduar një fond të posaçëm 3 miliardë lekë ose rreth 28 milionë dollarë që do të përdoret si shpërblim për pensionistët, çka nuk ishte parashikuar në buxhetin e miratuar në fillim të vitit.

Po kështu shpërblim pritet të ketë edhe për kategoritë e tjera në nevojë. Vitin e kaluar, shpërblimi me rastin e festive të fundvitit ishte në masën 3 mijë lekë të reja, ndërsa një shpërblim prej 2 mijë lekësh iu dha edhe kategorive të veçanta si përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike.

Kategoritë

Po cilat janë kategoritë që do të marrin shpërblim me rastin e festive të fundvitit:
-499.000 persona që marrin pension pleqërie, invaliditeti familjar dhe pension qyteti
-133.000 persona që marrin pension si anëtarë të kooperative bujqësore
-981 persona me trajtim të veçantë financiar, dhe persona që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake.
-11.876 persona që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
-3.037 persona pension pleqërie për minatorët,
-2.250 persona që nuk përfitojnë pernsion po shërbim financiar si veteranët