Një bombol gazi ka shpërthyer mëngjesin e sotëm duke sjellë përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa janë plagosur burrë e grua. Ngjarja ka ndodhur në orën 05:53.

Të plagosurit janë pronarët e banesës 49 vjeçari Rexhep Selimi dhe bashkëshortja e tij 42 vjeçare Mimoza Selimi. Gruaja raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Sipas policisë së Vlorës, nuk ka persona të tjerë të dëmtuar nga shpërthimi, pasi në banesë ishte vetëm çifti dhe zjarri nuk përbën rrezik për banesat e tjera, pasi janë në një distancë të largët. Çifti kishte dy bombola gazi në banesë, njërën 15 litra dhe tjetra 4, ndërsa vetëm njëra raportohet se shpërtheu.

Çifti ka tre fëmijë, të cilët nuk ndodheshin në banesë, pasi dy punonin në Dhërmi dhe tjetri në Greqi. Djali i vogël i familjes tregon si e mori lajmin dhe se nëna e tij dje kishte ndërruar bombolën e vjetër duke marrë një të re, të cilën dyshohet se nuk e kishte montuar mirë duke e lënë hapur dhe si pasojë ka pasur rrjedhje gjatë natës duke sjellë shpërthimin në mëngjes.

Fqinjët tregojnë momentet e tmerrit që përjetoi çifti, ndërsa gruaja nga shpërthimi i fuqishëm kishte përfunduar në oborr me shumë djegie. Ata thonë se gjendja e çiftit është shumë e vështirë ekonomikisht, prandaj i bëjnë thirrje shtetit që të vendosë dorë.

Grupi hetimor po vijon veprimet e mëtejshme procedurale për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit të bombolës, paraprakisht dyshohet se ka pasur rrjedhje gazi.

Kujtojmë që ditën e hënë shpërtheu në Bllok një bombol që përdorej për përpunimin e floririt në ambientin e bodrumit të një argjendarie, ndërsa u plagosën pronarët burrë e grua. Shpërthimi erdhi si pasojë e një pakujdesie.

Artikulli paraprakKËRCËNON TË VRASË ME ÇIFTE FAMILJARËT DHE NIPIN: DO I VË FLAKËN SHTËPISË
Artikulli tjetërGJYKATA E TIRANËS SHPALL MOSKOMPETENCË: MANDATIN E KRYEBASHKIAKUT TË VORËS TA SHQYRTOJË ADMINSITRATIVJA