Një peticion në mbështetje të një shoferi francez autobusësh që përballet me masë disiplinore pasi u filmua teksa qëllonte me shuplakë një adoleshent, javën e shkuar, ka marrë deri më tani 200 mijë firma.

Peticioni u iniciua nga kolegët e shoferit, në një kompani shtetërore të transportit publik, që vepron në zonën e Parisit. Ata i kërkojnë drejtuesve të mos pushojnë nga puna shoferin pasi, sipas tyre, kolegu kishte qëlluar me shuplakë adoleshentin në Arcueil, në jug të Parisit, pasi ky i fundit i kishte dalë para autobusit duke detyruar shoferin të manovronte me shpejtësi për të mos e përplasur atë, ndërkohë që kishte jo pak pasagjerë në bord.

Më pas, ai i ishte drejtuar adoleshentit, ashtu siç do të kishte bërë çdo prind dhe mori fyerje në këmbim. Kolegët e përshkruajnë shoferin që tani rrezikon vendin e punës si të sjellshëm, të qetë dhe të duruar.

Imazhet e incidentit në fakt qarkullojnë prej ditësh në rrjet dhe reagimet e përdoruesve janë të ndryshme.

Sipas atyre që kanë nënshkruar peticionin, shoferi kishte shpëtuar jetën djaloshit me reflekset e tij dhe reagimi vjen si pasojë e tronditjes, por edhe zemërimit pas sjelljes së gabuar të adoleshentit.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE